Bashkimi Evropian ka vlerësuar emërimin e Nenad Rashiçit si ministër për Kthim dhe Komunitete, një ditë më parë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilët janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, në një konferencë për media e cila u zhvillua të premten tha se është e rëndësishme që emërimet e ministrave të jenë në përputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës. Stano tha: “Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e Kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”. Gjithashtu, Stano tha se vendet e BE-së vazhdojnë t’u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të evitojnë veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës në Kosovë.

Stano tha: “Situata e sigurisë në terren është e brishtë dhe duhet të punohet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës”. Vendimin e Kurtit, Serbia e ka konsideruar shkelje duke thënë se Rashiçi nuk përfaqëson serbët e Kosovës. Pozita në të cilën është emëruar Rashiçi, deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiç, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.

Për këtë arsye dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë tjerë serbë nga veriu.