
Kur miqtë i shkojnë tek dera Vitore Pacaj merr një qengj dhe bën gati ferlikun. Ajo e ka forcuar këtë traditë të familjes së saj dhe të Malësisë së Madhe. Sapo nis të vijë vera, familja e Vitores ngjitet në Razëm tek biznesi i tyre i vogël për të pritur pushuesit ditor por jo vetëm.
Vitoren e gjejmë duke pjekur mishin e qengjit ndërsa tregon se të gjitha prodhimet janë bio. Në Razëm, thotë Vitore Pacaj nuk ka shumë turistë të huaj por më shumë vizitorë vendas dhe kjo i dëmton ata sepse ajo zonë nuk është zhvilluar sa duhet.
Madje turizmi në Razëm është vetëm 3 muajt e verës edhe pse mundësitë janë të mëdha që të shfrytëzohet në 12 muajt e vitit. Në Razëm nuk është problem vetëm mungesa e turistëve të huaj por edhe çështje si mungesa e ujit të pijshëm.
Ndërsa drejtues vendor e qëndror ftojnë që ata që kanë dëshirë të vizitojnë edhe Razmën për bukuritë e saj atje ende mungon uji i pijshëm. Zina Markaj dhe familja e saj po bëhen gati për të hapur një bujtinë në Reç të Malësisë së Madhe.
Më përpara Zina ka sjellë produktet e saj në Razëm. Ka mjaftuar një tavolinë e vogël për të siguruar suksesin ende pa nisur. Ushqime bio, të shijshme por edhe të gatuara me dashuri.


