Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar mbi reciprocitetin lidhur me targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se BE-ja po vazhdon të monitorojë situatën në terren. Ai ka bërë thirrje që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet.

Stano, në një prononcim për mediat kosovare ka thënë se BE edhe gjatë ditës se djeshme ka deklaruar se liria e lëvizjes është gurthemeli i Bashkimit Evropian. “Si e tillë, Kosova dhe Serbia presim ta promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon”, tha ai.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë vazhdimisht situatën në terren dhe i bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell gjatë mbrëmjes së djeshme ishte në kontakt me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti si dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili ende është në Beograd dhe po vazhdon punën me të dyja palët”, tha ai.

Stano tha se BE inkurajon të dyja palët që të shfrytëzojnë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat.

“Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë”, ka deklaruar Stano.

Të hënën, qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës. Me këtë vendim, qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Artikulli paraprakSJELLJET RACISTE NDAJ LOJTARËVE ANGLEZË/ HUNGARIA ‘E PËSON’ KEQ, ME SHQIPËRINË LUAN PA TIFOZË. FIFA: NEVERI!
Artikulli tjetër“MOS LUAJ”, BERISHA MESAZH BASHËS: TË GJITHË ATA QË GJATË 30 VITEVE I KAPI FRIKA PREJ FORUMEVE KANË PËRFUNDUAR KEQ