Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por, serbët janë grumbulluar në afërsi të pikave kufitare në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie.

Veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme që ky vendim të mos pengojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke shtuar se situata në kufijtë “është e qetë”.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS’”, ka shkruar në Facebook ministri Sveçla.

Ministria që udhëheq Sveçla ka njoftuar se përveç në pikat kufitare, qytetarët mund të pajisjen me leje të përkohshme për targa në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.

/REL

Artikulli paraprakSITUATA E COVID-19/ MINISTRIA E SHËNDETËSISË: 451 RASTE TË REJA DHE 7 HUMBJE JETE NË 24 ORËT E FUNDIT
Artikulli tjetërDEBATI NË MBLEDHJEN E KRYESISË SË GRUPIT PARLAMENTAR, REAGON PD: BASHA NË ASNJË MOMENT NUK E KA ETIKETUAR ANËTARËSINË SI ANTIAMERIKANE, ASKUSH S’E CËNON ALEANCËN ME SHBA