Pak orë pas qëndrimit të kryeministrit Rama për Reformën në Drejtësi ka ardhur edhe reagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Edi Ramës iu zgjidh gjuha, u kujtua t’u rikthehet cicërimave të tij. Deri tani ishte kundërshtues i vendeve të rezervuara të propozuara nga SHBA dhe BE, por sot nuk ka më asnjë alibi. Propozimi ynë nuk jep as më shumë e as më pak sesa çfarë parashikon Komisioni i Venecias. Partitë politike as nuk propozojnë dhe as verifikojnë.”-drejtuar Ramës, Basha shton- “Ti do patjetër një gozhde ku të varësh refuzimin e radhës. Tani që nuk e ke më as këtë, lëri alibitë dhe nëse do me të vërtetë reformë të pakapur në drejtësi prano kompromisin, që i hap rrugë miratimit të reformës në drejtësi”, mbyll Basha statusin e tij. Në statusin e tij në “Facebook” Basha nuk lë pa përmendur edhe çështjen e fotos së kryeministrit me Presidentin amerikan, Barack Obama, por edhe grabitjen spektakolare në Rinas, për të cilat thotë se “pas 6 ditë heshtjeje për krimin federal të pagesës së 80 mijë dollarëve ilegale për një foto, dhe pas një jave nga sulmi me armë e maska në pistën e Rinasit ku u grabiten miliona euro, nuk pipëtiu, nuk bëri zë”.