Reforma në drejtësi, Komisioni diskuton amendamentet e opozitës
Një nga 6 ligjet e rëndësishme që duhet të miratohen deri në fund të shtatorit është ai i organizimit dhe funksionimit të 3 institucioneve që luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta. Por qeveria dhe opozita nuk kanë deri tani një qëndrim konsensual. Në opinionin e vetë me 31 faqe, Partia Demokratike e konsideron ligjin si antikushtetues në 3 pika kyçe, që ajo i lidh me ndërhyrjen e qeverisë dhe kontrollin prej saj të gjykatave speciale dhe SPAK-ut. Si të tillë, Partia Demokratike rendit parashikimin në ligj të përfshirjes në Njësinë e Posaçme Hetimore të personave që emërohen nga Policia e Shtetit, duke krijuar direkt ose tërthorazi varësi nga qeveria. Partia Demokratike kundërshton mundësinë që, sipas saj, ligji ia jep qeverisë për të ndërhyrë apo penguar arbitrarisht në perzgjedhjen dhe emërimin e çdo prokurori, gjyqtari, hetuesi apo punonjësi tjetër të prokurorisë dhe gjykatave të posaçme. Me pikën e tretë të saj, opozita kundërshton vendosjen nën kontroll dhe mbikëqyrjen nga qeveria të telekomunikimeve dhe të ardhurave financiare të gjyqtarëve, prokurorëve dhe hetuesve të ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për të shmangur çdo kontroll apo varësi nga qeveria, Oerd Bylykbashi dorëzoi në komisionin e drejtësisë 22 amendamente, por është ende e paqartë nëse mazhoranca dhe ekspertët e huaj do të pranojnë ndonjë prej tyre.