Kreu i Kuvendit, Ilir Meta i është drejtuar me një letër kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, ku thekson se respektimi i procedurave dhe zbatimi i rregullores është qëllim parësor për veprimtarinë legjislative të Kuvendit.

“Në ushtrim të detyrës time si Kryetar i Kuvendit, vlerësoj se respektimi i procedurave dhe zbatimi i Rregullores së Kuvendit, përbën qëllimin parësor te veprimtarisë legjislative te Kuvendit”, shkruan Meta në letër. Në letër, Meta shkruan se është këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve ai që do të bëjë interpretimin. Kujtojmë se ky Këshill pritet të mblidhet pasditen e sotme. Kreu i grupit të PS-së, i kërkonte Metës një ditë më parë përfshirjen e reformës në drejtësi në kalendarin e punimeve të Kuvendit, për ta miratuar kështu gjatë muajit korrik. “Nisur nga sa me lart, duke vlerësuar se kjo kërkesë ngre diskutime lidhur me mënyrën e aplikimit te procedurave për shqyrtimin e projektit kushtetues dhe te 7 projektligjeve prioritare të reformës në drejtësi, për sa i përket organeve qe duhet te shqyrtojnë dhe përgatisin raportin, si dhe përsa i përket mënyrës se planifikimit në program dhe kalendar, bazuar në nenin 116 të Rregullores së Kuvendit, pikat3 dhe 4 te tij, kërkoj sa me poshtë: Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin te shprehet per interpretimin dhe zbatimin e e neneve 77/a dhe 77/b te Rregullores ne raport me nenin 24 te saj, kur nisma për rishikimin e Kushtetutës është përgatitur nga një komision i posaçëm. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin te shprehet për interpretimin dhe zbatimin e neneve 26,27, 44/3, 68 dhe 69/3 te Rregullores ne raport me nenin 24 te saj, ne lidhje me formalizimin zyrtar të një nisme ligjvënëse, njoftimin e saj si dhe përfshirjen ne program dhe kalendar sipas afateve të Rregullores, kur nisma ligjvënëse është përgatitur nga një komision i posaçëm”, shkruan kryetari i Kuvendit.

/ Star Plus TV /

Artikulli paraprakVLLAZNIA RINOVON EDHE STEFAN CICMIL
Artikulli tjetërMETA MBLEDH KËSHILLIN E MANDATEVE, I PRANISHËM EDHE DEPUTETI HALIMI