Kryeministri Edi Rama, në fund të mbledhjes së grupit parlamentar socialist ka qartësuar qëndrimin e mazhorancës në negociatat e reja me opozitën për reformën në drejtësi.

“Vija e kuqe nuk është bërë nga peneli im, por është përcaktuar nga SHBA dhe BE dhe që ka në esencën e vetë procesin e vetingut”, ka deklaruar Rama. Ai ka përsëritur se, për koalicionin qeverisës nuk ka qenë dhe nuk është problemi tek mënyra se si Parlamenti do të votojë reformën. “Ne kemi rënë dakord për çdo qasje që garanton pjesëmarrjen e opozitës bazuar në rekomandimin e Komisionit të Venecias. Por thelbi është jo se kush do të mbushë me ujë shishet, por sa i pastër do jetë burimi nga do vijë uji. Pra, si të garantojmë filtrin e sigurtë. Nëse filtri është i sigurtë nuk ka asnjë problem tjetër”, ka thënë Rama. Ai ka theksuar se, PS dhe shumica qeverisëse do të votojnë një reformë që ka mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtar dhe për këtë ka dhënë garancinë se, “as SHBA e as BE nuk bëjnë asgjë që cënon thelbin e kësaj reforme”. “Dhe formula e propozuar akomodon plotësisht një kërkesë të stërpërsëritur nga PD, e cila më habit përse nuk po thotë po”, ka shtuar Rama. Në vlerësimin e kreut të qeverisë, kjo është një reformë historike dhe me rëndësi strategjike për të nesërmen e vendit. “Nuk është reforma e një pale, por e një vendi që synon të bëhet anëtar i denjë i BE dhe nuk mund të jetë një negociator i besueshëm i BE nëse nuk hedh themelet për një drejtësi të fortë”, ka thënë Rama.