Për të dytën ditë me radhë negociatat për reformën zgjedhore janë zhvendosur nga pallati i Kongreseve te rezidenca e ambasadores amerikane. Pas dështimit të afatit të 31 majit ndërkombëtarët e morën vetë situatën në dorë.

Paraditen e sotme ashtu sikur ishte planifikuar anëtarët e Këshillit Politik janë rimbledhur nën drejtimin e ndërkombëtarëve, ambasadorëve të SHBA-së Kim, BE-së Soreca dhe Britanisë Norman. Takimi paradite ka zgjatur rreth 60 minuta, ndërsa është ndërprerë për një pushim të shkurtër, ku palët do të konsultohen me partitë për lëshimet që do të bëjnë.

Pas takimit, ambasadorja amerikane ka paralajmëruar një deklaratë për mediat ashtu si dje. Dy janë pikat më të nxehta mes palëve. E para identifikimi biometrik, ku shumica kërkoi që të jetë projekt pilot në 10% të vendit, ndërsa opozita e kërkon në të gjithë vendin.

Edhe pse nuk e kanë pranuar publikisht, palët duket se e kanë gjetur konsensusin për ta shtrirë në të gjithë vendin. Tashmë problem mbetet depolitizimi i administratës zgjedhore. Shumica kërkon që depolitizimi të jetë i plotë, ndërsa opozita është për një sistem miks, që në komisione politika të ketë sytë dhe veshët e saj.

Por cfarë ndodhi me kërkesat e tjera të opozitës? Ambasadorja u kërkoi palëve që nëse nuk kanë dakordësi për kërkesat përtej rekomandimeve të ODIHR, atëherë palët duhet të heqin dorë nga këto kërkesa. Ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë dje ishin të prerë në kërkesat e tyre: Reforma të mbyllet sot! Por a do të ia rrijnë? Kjo mbetet për t’u parë ndërsa e vetmja gjë që dihet është që dita e sotme ka për të qenë shumë e ngjeshur.