
Remitancat po vijojnë të rriten, të nxitura edhe nga vala e re e emigracionit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, emigrantët dërguan në Shqipëri 621 milionë euro, 16.7 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave, duke shënuar një rekord të ri historik.
Rritja më e lartë u shënua në tremujorin e dytë, me prurjet që arritën në 347 milionë euro, me zgjerim 24% në raport me të njjëtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e dërgesave nga emigrantët po ecën paralelisht me shtimin e numrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Që prej vitit 2013, remitancat kanë ndjekur një prirje pothuajse të pandërprerë rritëse, në linjë me ciklin e ri të emigracionit që u forcua veçanërisht pas vitit 2015.
Sipas aktorëve të tregut, pjesa më e madhe e remitancave vijon të vijë nga destinacionet tradicionale të emigracionit shqiptar, si Greqia dhe Italia. Megjithatë, vitet e fundit është rritur pesha e vendeve të reja të emigracionit, veçanërisht Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania./ Monitor


