Forcat RENEA kanë zbarkuar në qytetin e Shkodrës mbrëmjen e djeshme duke zhvilluar kontrolle të befasishme në shumë zona të ndryshme. Efektivët e RENEA me mbështetjen e policisë vendore të Shkodrës nisën kontrolle në disa pika të qytetit me qëllim ndalimin e elementëve të rrezikshëm kriminal, kapjen e personave të shpallur në kërkim apo edhe atyre që mbajnë armë pa leje. Ndërkohë gjatë këtyre kontrolleve policia vendore e Shkodrës arrestoi një 43-vjeçar i cili gjatë gjithë pasdites së djeshme terrorizoi banorët e fshatit Bardhaj në njësinë Rrethina teksa herë pas here duke ecur me automjetin e tij qëllonte me armë zjarri në ajër.

Banorët e zonës raportuan për të shtënat me armë dhe menjëherë pas njoftimit policia e Shkodrës me mbështetjen e dy grupeve të RENEa-s dhe FNSH shkuan në vendngjarje duke bërë të mundur arrestimin e shtetasit Balil Murataj, 43 vjeç banues në fshatin Bardhaj. Arrestimi i tij u bë në flagrancë nga efektivët. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me armën e zjarrit automatik që ai e kishte fshehur në pyll sapo ka parë që ishte rrethuar nga shërbimet e Policisë.

Nga verifikimet rezultoi se 43-vjeçari Balil Murataj, kishte qëlluar me armë zjarri, në ajër, duke terrorizuar banorët. Ndërkohë kontrollet e policisë dhe forcave RENEA në Shkodër do të vijojnë për të ndaluar element të ndryshëm kriminal.

Artikulli paraprakOKB NË BASHKINË SHKODËR
Artikulli tjetër“MARUBI”, PRODHIMI I FOTOVE SI PARA 170 VITESH