Reportazhi – BBC: Shqipëria prodhuesi më i madh i kanabisit në Evropë

Shqipëria është prodhuesi më i madh i kanabisi në Evropë. Kështu e nis një tekst rrjeti gjigant britanik BBC, i cili paralajmëron publikimin e një reportazhi në radio. Sipas BBC, kjo industri e paligjshme mbikëqyret nga grupet e krimit të organizuar, i cili është përhapur në të gjithë vendin. Shumica e kanabisit siç shkruhet në artikull, shpërndahet në Evropë dhe shumë fshatra mbahen nga kjo industri. “Shqipëria është bërë prodhuesi më i madh në Evropë i kanabisit që rritet në natyrë. Kjo industri e paligjshme, e cila mbikëqyret nga grupe kriminale, nisi nga fundi i viteve 1990 dhe është përhapur gjithandej në këtë vend të vogël të Ballkanit. Pjesa më e madhe e “arit të gjelbër” trafikohet jashtë vendit, dhe fshatra të tërë mbahen me paratë që nxirren nga tregtimi. Qeveria shqiptare po përpiqet të ndalojë këtë industri, duke asgjësuar miliona bimë dhe duke sekuestruar sasi të mëdha që janë tharë dhe përgatiten për tregtim në zona të fshehta. Me producenten Albana Kasapi, gazetarja Linda Pressly heton bumin e kanabisit të Shqipërisë”, shkruan BBC. Reportazhi pritet të transmetohet të enjten më 1 dhjetor në Radio 4, ora 11:00 dhe në 5 dhjetor ora 20:30.