Shqipëria është një nga parajsat e fundit në Europë, sipas blogerit të njohur të udhëtimeve turistike, Christian Hütwohl, i cili ka udhëtuar kohët e fundit në Shqipëri dhe ka realizuar për këtë qëllim edhe një seri videosh, të klikuara qindra mijëra herë.

”Kemi dy muaj që udhëtojmë nëpër rrugët e Shqipërisë. Deri më tani kemi bërë 2 500 kilometra dhe kemi realizuar 9 video të udhëtimit tonë”, shkruan Christian Hütwohl.

Pasi rendit 10 vendet më të bukura, ai thekson se ”Shqipëria ka shumë bukuri për të ofruar”.

”Ksamili, një destinacion pushimesh në jug të Shqipërisë, me gjire të bukura dhe ujëra të bruzta. Do të na kishte pëlqyer të qëndronim më gjatë atje. Ky është Kanioni i Osumit, me urën e tij të ndryshkur, që nuk deshëm ta kalonim me makinën tonë. Ky kanion mbresëlënës është pjesë e kanioneve më të mëdha të Europës.

Ia vlen të kthesh rrugë për të vizituar lagunën e Patokut, për të parë shtëpitë palafite dhe për të frekuentuar restorantet e këndshme të peshkut.

Kemi qenë katër herë te agroturizmi “Mrizi i Zanave” gjatë rrugës sonë veri-jug përmes Shqipërisë. Ne e rekomandojmë shumë qëndrimin një ose dy ditë në këtë vend, për të shijuar gatimet tradicionale të vendit.

Ky udhëtim nuk ka të bëjë vetëm me të shkuarit në destinacione të caktuar, por edhe thjesht me të udhëtuarit nëpër këtë vend. Shqipëria ofron shumë rrugë panoramike.

Megjithatë, rrugët e Shqipërisë kanë edhe sfidat e tyre, me korsitë apo shtigjet e ngushta apo në rërë.

Është gjithmonë interesante të zbulosh vende të mrekullueshme. Në Shqipëri gjen gjithmonë të tilla vende fantastike. Ajo është një nga parajsat e fundit në Europë, ku mund të ngresh kampin në mes të natyrës së egër.

Gjithashtu, është po aq interesante të takosh gjatë rrugës edhe të tjerë udhëtarë me të njëjtin mendim, të udhëtosh me ta për njëfarë kohe, gjë që na sjell në mendje kujtime të bukura”, përfundon ai.