Reshjet e dendura të dëborës dhe shiut kanë vijuar gjatë orëve të fundit në territorin e Qarkut Shkodër, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe situata problematike në disa zona.
Problematika më e theksuar paraqitet në zonat malore, veçanërisht në aksin Bogë – Qafë Thore – Theth, ku reshjet e dëborës kanë qenë intensive.
Autoritetet rrugore kanë punuar pa ndërprerje për mbajtjen e aksit të hapur, për shkak edhe të fluksit të lëvizjeve. Aktualisht qarkullimi është i mundur, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë, pasi reshjet vijojnë.
Ndërkohë, zona e Dukagjinit vijon të mbetet e izoluar prej katër ditësh, si pasojë e një shembjeje të re të rrugës. Situata është përkeqësuar nga reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar rrëshqitje masive dheu dhe dëmtime serioze të aksit rrugor pranë degëzimit të fshatit Marknonaj, në Njësinë Administrative Pult.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, reshjet e shiut me intensitet mesatar kanë vijuar gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë edhe aktualisht. Nuk raportohen raste problematike. Po ashtu, raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike në zonat Kelmend dhe Shkrel.
Në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë bërë që lumi Gjadër të dalë nga shtrati, duke rritur nivelin e ujit në lagjen Kapedani. Ndërsa në Bashkinë Fushë-Arrëz, janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë autorurale.
Sipas DRV Shkodër, aktualisht nuk ka problematika në qarkullimin rrugor në akset që administrohen prej tyre.
Nga OSHEE Shkodër bëhet me dije se për momentin pa energji elektrike është zona e Postribës, e cila pritet të rikthehet në funksionim brenda një kohe të shkurtër. Në Kelmend po punohet për rikthimin e energjisë, ndërsa zonat e tjera të qarkut furnizohen normalisht.

 

Artikulli paraprakNISIN SHKARKIMET NGA HEC KOMAN DHE VAU DEJËS
Artikulli tjetërBANORËT E TRUSHIT SËRISH TË PËRMBYTUR