
Situata në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër paraqitet e qetë dhe pa problematika. Strukturat e Emergjencave Civile në të gjitha njësitë bashkiake raportojnë se aktualisht nuk ka situata problematike që të kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau Dejës dhe Pukë, situata vijon normale, nuk ka vështirësi në infrastrukturë apo qarkullim. Edhe pse në zonat e veriut janë regjistruar reshje dëbore, këto nuk kanë shkaktuar bllokime apo izolime të komuniteteve.
Në Fushë-Arrëz raportohen reshje dëbore në zonat mbi 950 metra lartësi, por qarkullimi mbetet i pandërprerë dhe akset kryesore janë të kalueshme. Nuk ka asnjë zonë të izoluar dhe kontraktorët janë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.
Në zonat malore veriore të qarkut, ku reshjet e dëborës janë më të pranishme, situata mbetet nën kontroll:
Segmenti Tamarë–Vermosh është plotësisht i kalueshëm. Qarkullimi vazhdon normalisht.
Edhe në Qafë Thore – Theth qarkullimi zhvillohet normalisht. Aksi është pastruar, por rekomandohet pajisja e mjeteve me goma dimri dhe zinxhirë për shkak të temperaturave të ulëta dhe mundësisë së ngricave në orët e para të mëngjesit.
Strukturat përgjegjëse po vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të pandërprerë, në bashkëpunim me njësitë vendore, kontraktorët e mirëmbajtjes dhe institucionet e sigurisë rrugore, për të garantuar reagim të shpejtë në rast të ndryshimeve të papritura atmosferike.


