
Reshjet e shiut dhe dëborës kanë sjellë problematika të ndryshme në territorin e Qarkut Shkodër.
Gjatë gjithë natës borëpastrueset kanë qenë në punë për të mbajtur të hapur aksin Qafë Thore–Theth.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, kryebashkiaku Benet Beci u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin qarkullimin e panevojshëm në aksin rrugor Bogë – Qafë Thore – Theth, me qëllim krijimin e hapësirës së nevojshme për ndërhyrjen e mjeteve borëpastruese dhe pastrimin e plotë të segmentit rrugor.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse dhe të informohen vazhdimisht për gjendjen e rrugëve.
Në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet e shiut kanë pushuar për momentin. Megjithatë, në disa njësi administrative janë raportuar shkëputje të energjisë elektrike, ndërsa grupet e punës ndodhen në terren për rikthimin e furnizimit.
Ndërkohë, në Bashkinë Fushë-Arrëz vijojnë reshje shiu me intensitet të lartë. Janë raportuar rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset mbeten të kalueshme dhe qarkullimi po zhvillohet pa probleme.
Në Bashkinë Pukë, reshjet e shiut vazhdojnë të shoqëruara me erë të fortë, por deri tani nuk raportohen problematika apo dëme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat malore dhe në akset e prekura nga kushtet e motit.






