Vendi është përfshirë nga temperatura të ulëta dhe reshje të dendura dëbore, kryesisht në vendet malore.

Reshje të dendura bore në Korçë

Në qarkun e Korçës kanë qenë të pranishme përgjatë pasdites së djeshme dhe gjatë orëve të para të mëngjesit reshje të dendura dëborës.

Në zonat malore reshjet janë shoqëruar me erë të fortë, ndërsa trashësia e saj varionte nga 10 deri në 20 cm.

Temperaturat kanë vijuar të ulet duke arritur në vlerat minimale -7 gradë celsius.

Sakaq është punuar për mirëmbajtje me pastrim dëbore dhe krijoje.

Kalimi i mjeteve në akset rrugore paradite rekomandohet të bëhet me zinxhirë ose goma dimërore.

Mungesë energjie elektrike edhe në zonën Orman – Rembec-Rove-Terov , OSHEE është aktualisht në terren.

Sipas informacioneve të fundit komuna e Dardhasit të Sipërm është izoluar, po ashtu edhe zona e Panaritit dhe Lekasit ku bora ka arritur në 30 cm.

Për në fshatin e Dardhës qarkullimi detyrimisht me zinxhirë dhe i vështirë për shkak të akullit në rrugë.

Moti aktualisht është i kthjellët.

Dëbora në Dibër arrin në 40 cm

Edhe Dibra është zgjuar me temperatura nën zero mëngjesin e sotëm, që kapnin vlera deri në -6 gradë celsius.

Situata në Njësitë Administrative të Dibrës si Kala e Dodës, Selishtë, Lurë Zall – Dardhë vijon të jetë problematike pasi trashësia e borës ka arritur deri në 40 cm.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Njësitë Administrative, Martanesh, Trebisht, Ostren të Bashkisë Bulqizë. Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël në Njësinë Administrative Zerqan janë të izoluara.

Në rrugët nacionale ka prani të ngricës, teksa policia këshillon drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes dhe të pajisen me zinxhirë.

Në zonat malore të Elbasanit kalohet me zinxhirë

Edhe qarku i Elbasanit, kryesisht zonat malore janë përfshirë nga reshjet e dëborës.

Në zonat malore të Librazhdit, si Stëbleva trashësia e dëborës ka arritur në 10-15 cm. Në Qafë Thanë trashësia raportohet të ketë arritur 10 cm, ndërsa pjesa tjetër e qarkut ka pasur reshje të dobëta shiu.

Akset Elbasan-Qafë Thanë dhe ai Librazhd-Stërblevë, nga Klenja në Zgosh qarkullimi bëhet me zinxhirë.

Furnizimi me energji elektrike ka pasur probleme në Njësinë Administrative Rrajcë e Qukës, të Bashkisë së Përrenjasit.