Reshje të dendura në Greqi, humb jetën një person

Reshjet e dendura të shiut që kanë prekur një pjesë të konsiderueshme të Greqisë kanë bërë që një person të ndërrojë jetë, ndërkohë që mijëra të tjerë janë vendosur në vështirësi. Viktima ishte një burrë 30-vjeçar i cili fillimisht u shpall i humbur, ndërkohë që më disa orë më pas, autoritetet mundën të rekuperojnë trupin e tij. Uji ka vërshuar në pjesë të ndryshme të vendit, por edhe në Athinë, ku shumë qytetarë kanë patur përmbytje të shtëpive. Në fjalën e tyre, banorët e kryqytetit thonë se kjo është hera e parë në shumë vite që reshjet e shiut shkaktojnë probleme. “Kjo është hera e parë në shumë vite që ndodh dicka e tillë. Kemi patur shira të dendur, por kjo është hera e parë që ka përmbytje në këtë zonë”, janë fjalët e kësaj qytetareje. Vështirësitë e banorëve janë konfirmuar edhe nga autoritetet. Forcat zjarrfikse thonë se kanë marrë mbi 300 telefonata në 24 orët e fundit nga qytetarë që kanë patur probleme në menaxhimin e situatës. Ndërkohë, meteorologët kanë deklaruar se reshjet e shiut do të vijojnë edhe për disa ditë. Në këto kushte, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregohen vigjilentë si dhe të telefojnë në numrat e emergjencës në rast se hasin vështirësi. Në rast se shirat do të vijojnë me të njëjtin intensitet, zyrtarët kanë raportuar se mund të ketë edhe mbyllje të përkohshme të metrosë së kryeqytetit.

Artikulli paraprakKAPET ME 21 KG KANABIS NJE SHQIPTAR NE JANINE
Artikulli tjetërPAVARËSIA E SHQIPËRISË, NISHANI: ZGJEDHJET E LIRA DHE LIRIMI NGA KANABISI, PRIORITETET PËR INTEGRIMIN