Rritja e temperaturave këtë të premte, pas ngricave që shoqëruan të gjithë Shkodrën, rrit potencialin për përmbytje në zonën e Nënshkodrës. Shiu i rënë përgjatë gjithë natës dhe orëve të fundit ka sjell fryrje të lumenjve “Buna”, “Kir” dhe “Drin”.

Vështirësi është hasur edhe në Njësinë Administrative Bërdicë, pikërisht në afërsi të Harkut të Bërdicës, aty ku për shkak të punimeve që po kryhen për aksin e ri të rrugës Shkodër-Velipojë, është krijuar kaos edhe në lëvizjen e automjeteve.

Prurjet e kanaleve kulluese janë shtuar, përderisa, nuk kanë munguar edhe përmbytjet e para të tokave në këtë zonë.

Automjetet e kanë të vështirë kalimin, pasi e gjithë pjesa e kësja rrugë është e mbuluar pothuajse e gjitha nga uji. Vështirësia rritet sidomos me kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilat krijojnë vështirësi për të gjitha automjetet që kalojnë në drejtim të Velipojës.

Njësitë Administrative të Nënshkodrës rrezikojnë të përmbyten për shkak të dëborës së madhe të rënë në alpe në ditët e fundit. Ndërkohë, e rrezikshme mund të rezultojn hapja e portave në hidrocentralet mbi kaskadën e Drinit, për shkak të prurjeve të mëdha të ujit.