
Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme edhe në zonën e Kurbinit, ku disa hektarë tokë bujqësore janë përmbytur, ndërsa disa banesa janë rrethuar nga uji, konkretisht në zonën pranë mbikalimit të Patokut në autostradë si dhe në njësinë administrative Mamurras.
Probleme janë evidentuar edhe në fshatin Fushë Mamurras, ku mësimi është ndërprerë për shkak të pranisë së ujit në ambientet shkollore. Banorët shprehen se kjo situatë përsëritet sa herë ka reshje të dendura shiu, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme kryesisht në bujqësi dhe blegtori.
Ndërkohë, si pasojë e reshjeve, ka pasur rritje të prurjeve në lumenjtë Droja dhe Mat. Fatmirësisht, deri më tani nuk paraqesin rrezik per dalje nga shtrati, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e Mbrojtjes Civile.






