Papa Françesku e ka emëruar një kryepeshkop si të deleguarin e tij të ri për “Kalorësit e Maltës” duke i dhënë atij “të gjithë fuqinë e nevojshme” për të ndihmuar urdhërin fetar që të reformojë Kushtetutën dhe të zgjedh një lider të ri.

Në një letër që Reuters raporton se është publikuar të shtunën, Françesku e ka emëruar numrin dy të Sekretariatit të Shtetit, kryepeshkopin Angelo Becciu, si të deleguarin special. Mandati i Becciu e konfirmon lidhjen e vështirë që Kardinali amerikan, Raymond Burke e ka pasur me Papën. Burke deri më tash ka qenë ura e vetme lidhëse në mes të Papës dhe urdhërit antik aristokratik që për gjenerata të tëra për pjesëtarë ka pasur fisnikët e katolikëve të Evropës. Burke ka qenë arsyeja kryesore për krizën brenda këtij Urdhëri gjatë tre muajve të fundit, duke rezultuar me dorëheqjen e mjeshtërit të madh, Mathew Festing, pasi ky i fundit u përfshi në një debat publik kundër Papës rreth një skandali me kondom. Me përkrahjen e Burke, Festing e kishte pezulluar kancelarin e lartë të Urdhërit, Albert von Boeselager. Pasi e ka marrë vesh këtë vendim, Françesku i ka marrë nën kontroll “Kalorësit e Maltës”, duke ia kërkuar dorëheqjen Festingut, dhe duke i rikthyer në detyrë Boeselagerit. Ndërhyrja e Papës ka alarmuar pjesëtarët e urdhërit “Kalorësit e Maltës” të cilët janë krenar për statusin sovran të urdhërit të tyre. Në letrën e të shtunës, Papa ka thënë se Becciu do të punojë për së afërmi me Boeselagerin i cili teknikisht tash është në krye të urdhërit Kalorësit e Maltës.