Një ditë pas aksionit për sekuestrimin e duhanit nga krimi ekonomik i policisë së Shkodrës dhe inspektorët e doganave, katër shtetas janë arrestuar pas revoltës të tregtarëve të duhanit në lagjen “Rus”.

Policia e Shkodrës në njoftimin e saj bën me dije se 4 shtetasit e arrestuar kanë kundërshtuar me dhumë punonjësit e antikontrabanës dhe të policisë në aksionin e këtyre të fundit me qëllim goditjen e kontrabandës me mallra që paguhet akcizë teksa kanë qenë duke ushtruar kontroll në tregun e ngritur në vendin e quajtur “RUS”. Shtetasit e arrestuar janë Arjan Halili, 30 vjeç, Marjan Palalek, 35 vjeç, Denis Zefi 24 vjeç dhe Astrit Muçaj 39 vjeç që të gjithë banues në Shkodër. Sipas policisë gjatë kontrrollit të ushtruar, tregtarët kanë bërë rezistencë dhe për shkak të detyrës kanë kundërshtuar me dhunë e goditur me sende të forta punonjësit e antikondrabandës dhe të policisë, të cilët po kryenin detyrën për konfiskimin e një sasie duhani të grirë, pa dokumentacionin përkatës. Katër shtetasit akuzohen për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”. Në njoftimin për shtyp nuk ka asnjë sqarim në lidhje me nxjerrjen e pistoletës nga shefi i krimit ekonomik Pjerin Lazri që ia drejtoi tregtarëve apo edhe pezullimin që i është bërë dhe procedimin penal që ka nisur ndaj tij. Këta tregtarë të arrestuar ishin aty në treg duke shitur duhan si e vetmja mundësi për të mbajtur familjet.