Është riaktivizuar vatra e zjarrit në pyllin në dalje të qytetit të Lezhës përgjatë aksit Lezhë-Shkodër. Flakët po kërcënojnë sërish bizneset dhe banesat në këtë zonë. Në terren zjarrfikësit dhe strukturat e tjera vendore të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.

Ndërkohë zjarri në fshatin Piraj të Lezhës ka arritur që të vihet nën kontroll dhe është shuar plotësisht rreth orës 4 të mëngjesit, por dëmet e shkaktuara janë më të mëdha.

Flakët kanë shkrumbuar linjën hekurudhore në një gjatësi 1 km si dhe sipërfaqe të mëdha me pemëtari dhe vreshtari, ndërsa është arritur që të shpëtohet Kisha e fshatit dhe varrezat pa shkaktuar dëme të shumta.

Për fikjen e këtij zjarri u angazhuan disa zjarrfikëse të ardhura nga bashkitë fqinjë. Gjithashtu është shuar zjarri në masivin pyjor në dalje të qytetit të Lezhës dhe përgjatë superstradës Lezhë-Milot.

Aktualisht vatër aktive zjarri ka edhe në pyjet e Oroshit, ku zjarri vijon prej disa ditësh. Ditën e sotme është kërkuar ndihma e ushtrisë ku 50 forca pritet të mbërrijnë në terren për shuarjen e flakëve.