Shkolla “Tringë Smajli” në Grudë të re të njësisë Rrethina prej ditësh i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë të saj.

Çdo sezon shkollor vitet e fundit e ka gjetur këtë shkollë tërësisht të amortizuar dhe jashtë çdo kushti për të zhvilluar aty procesin mësimor. Edhe pse një shkollë me një numër të madh nxënësish për vite me radhë ka vuajtur duke u lënë si në mesjetë. Një investim i bashkisë Shkodër ka bërë që shkolla “Tringë Smajli” të rikonstruktohet dhe pamja por edhe kushtet për nxënësit të përmirësohen ndjeshëm.

Kjo është faza e parë e punimeve shprehet administratori i njësisë Rrethina Vlash Pjetri. Administratori Pjetri tregon edhe se çfarë do të ndryshojë nga ky investim në shkollën “Tringë Smajli” në Grudë të Re dhe se nxënësve do t’u ofrohen kushte normale si në të gjitha shkolla e tjera të Shkodrës. Për vite me radhë nxënës dhe prindër kanë protestuar duke kërkuar rikonstruksionin e shkollës “Tringë Smajli” por zëri i tyre deri më tani nuk është dëgjuar. Ankesa dhe shkresa të herë pas hershme kanë bërë edhe drejtorët e shkollës ndër vite por sërish kanë rënë në vesh të shurdhër për të ardhur deri tek ky moment kur bashkia Shkodër ka vendosur ta rikonstruktojë.