
Në kuadër të jubileut të 10-vjetorit të festivalit “Luleborë”, në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës është rikthyer pas më shumë se tre dekadash hapësira e orkestrës simfonike, një element që i jep skenës frymëmarrje, thellësi dhe dimension të ri artistik.
Drejtuesi artistik i festivalit, Zef Çoba, u shpreh se kjo hapësirë e veçantë i jep skenës një energji të re, duke e bërë përjetimin artistik më të plotë dhe më profesional. “Kjo hapësirë i jep një dimension tjetër skenës dhe krijon një lidhje më të fortë mes muzikës dhe interpretimit”, tha Çoba.
Në këtë edicion të “Luleborës” do të konkurrojnë 16 këngë, të cilat ruajnë identitetin e këngës shkodrane, por njëkohësisht synojnë përshtatjen me tregun muzikor bashkëkohor një sfidë që, siç theksoi Çoba, mbetet e veçantë për artistët dhe krijuesit pjesëmarrës
Ky edicion jubile pritet të shënojë një moment kulmor për Teatrin “Migjeni” dhe për artistët shkodranë, duke dëshmuar se tradita dhe moderniteti mund të bashkëjetojnë në harmoni, nën tingujt e një muzike që mbetet gjallë brez pas brez






