Kupa e Shqipërisë do të rikthehet këtë më 1 nëntor me sfidat e para në turin e 1/16-ave. Klubet e Superligës luajnë të gjitha në shtëpi në një ndeshje të vetme vetëm vajtje teksa përballë ka kundërshtarë të lehtë.

Kampionët e Tiranës presin Shkumbinin teksa Kukësi nga ana tjetër përballet me ekipin modest të Maliqit. Laçi me Teutën do kenë përballë Vorën dhe Tërbunin teksa Bylis ndeshet me Veleçikun. Nga grupi B sfidat duken më interesante pasi Skënderbeu sfidon Tomorin e Beratit, Partizani Ilirinë e Fushë-Krujës kurse Vllaznia Devollin.

Kupa e Shqipërisë që në 1/16 do të presë një ‘klasike’ të vjetër të futbollit, Flamurtari-Dinamo, edhe pse jo në kushtet kur jemi mësuar t’i shohim. Ato do të përballen në Vlorë teksa militojnë të dyja në Kategorinë e Parë.