Komiteti për Çështje Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ka votuar sot me unanimitet për të emëruar kryetarin e PD Lulzim Basha raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.
Më herët kryetari i PD Lulzim Basha paraqiti një projekt rezolutë në Këshillin e Europës që bën thirrje për konfiskimin e aseteve ruse, krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara dhe vendosjen e këtyre fondeve në dispozicion të financimit për projektet e rindërtimit të Ukrainës. Një propozim i ngjashëm po diskutohet edhe në Kongresin Amerikan ndërkohë që edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka kërkuar që Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë Ukrainën për dëmin dhe të mbulojnë kostot për rindërtimin e vendit. Projekt-rezoluta e paraqitur nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha:
Përgjegjësia për krimet dhe demet e shkaktuara në Ukrainë nga agresioni i paprovokuar i Rusisë është i presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe duhet te paguajë për të. Ndërkohë që Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër arresti për Putin, duke e akuzuar për krime lufte, tashmë Rusia duhet të paguaj për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga bombardimet ruse. Sipas të drejtës ndërkombëtare, Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e paligjshme të Federatës Ruse. Këto detyrime përcaktojnë detyrën e vendeve të treta për të garantuar që asetet sovrane të Federatës Ruse që ndodhen nën juridiksionet e tyre të vendosen në dobi të Ukrainës si dhe për të krijuar një tribunal ndërkombëtar kompensimi për të siguruar që dëmet e shkaktuara nga Rusia të dëmshpërblehen në përputhje me normat ndërkombëtare, jurisprudencën dhe parimet e vendosura të kontabilitetit. Përmes kësaj rezolute të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit te Europës, e cila është e mbështetur nga përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare kërkohet: Krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e Federatës Ruse për të paguar projektet e infrastrukturës në Ukrainë; Transferimin e kapitaleve të ngrira të Federatës Ruse në fondin ndërkombëtar; Krijimin e një tribunali kompensimi për të gjykuar, në përputhje me normat e vendosura gjyqësore, kërkesat e paraqitura nga Ukraina në emër të individëve, subjekteve dhe instancave qeveritare, ose drejtpërdrejt nga individët dhe subjektet e saj, siç do të parashikohet nga rregullat e tribunalit.