Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump sulmoi demokraten Hillary Clinton

, lidhur me vendimin e saj për të marrë pjesë në përpjekjen për të rinumëruar votat në shtetet me diferencë të ngushtë votash, ku Trump fitoi. Ai i kujtoi asaj se në një nga debatet mes tyre, Clinton tha se humbësi duhet ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve, edhe nëse nuk u pëlqen ai rezultat. Në fushatën e tij, republikani Trump kishte thënë se votimet ishin “të manipuluara” për ta penguar atë, por ai po e quan përpjekjen e kandidates së Partisë së Gjelbër, Jill Stein për të bërë rinumërim në Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvanisë një “mashtrim” dhe e quajti qesharak vendimin e zonjës Clinton për t’ju bashkuar përpjekjes. “Hillary Clinton e pranoi humbjen, kur më telefonoi pak para se të mbaja fjalimin e fitores dhe pasi rezultatet kishin dalë”, tha Trump në Twitter. “Asgjë nuk do të ndryshojë”, vazhdoi ai. Në një tjetër postim të Twitter, Trump shkruante se demokratët, kur mendonin se do të fitonin, kërkuan që të pranohej numërimi i natës së zgjedhjeve, por shtoi se tani kanë ndryshuar mendje.