Shqipëria në Europian. I duhej një pikë dhe në Kishinau ndaj Moldavisë, Shqipëria merr pikën që i nevojitej falë barazimit me rezultatin 1-1 dhe siguron matematikisht për të dytën herë në historinë e saj pjesëmarrjen në finalet e një kampionati europian. Kuqezinjtë rezervojnë në këtë mënyrë vendin e tyre në mesin e Kombëtareve pjesëmarrëse në Gjermani verën e vitit 2024. Ishte minuta e 24-të kur erdhi momenti vendimtar për kuqezinjtë, me Taulant Seferin që fitoi një 11-metërsh.

Nga pika e bardhë u paraqit Sokol Çikalleshi që nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll me fitoren e Shqipërisë. Megjithatë, në fund, moldavët barazuan me Baboglo, por që nuk prishën festën e Shqipërisë që mori pikën që duhej për t’u kualifikuar në EURO 2024. Ndërkohë, kualifikimi historik i Kombëtares së Shqipërisë në kampionatin europian “Gjermani 2024” për të dytën herë është përjetuar me emocione edhe në qytetin e Shkodrës, nga qytetarë të ndryshëm.

Pas kësaj ndeshje, Shqipëria mban kreun e grupit E me 14-pikë, ndërsa pas tre ditësh pret Ishujt Faroe, një ndeshje ku kuqezinjtë mund të sigurojnë edhe vendin e parë në grup.

Artikulli paraprakNISMA “QYTETI SI PËLHURË”
Artikulli tjetërVOLEJ MESHKUJ, VLLAZNIA TRIUMFON NDAJ ELBASANIT