
Dy vatra zjarri të shfaqura gjatë ditëve të fundit në Lezhë kanë rikthyer shqetësimin për rrezikun që paraqesin flakët gjatë sezonit veror, duke kërkuar vëmendje dhe monitorim të vazhdueshëm. Si në rastin e zjarrit pranë zonës turistike të Ranës së Hedhun në Shëngjin, ashtu edhe në atë të regjistruar në një sipërfaqe me pemë dhe vreshta në Pllanë, pakujdesia dyshohet të ketë qenë shkaku kryesor i përhapjes së flakëve.Megjithëse rreziku për përhapje ishte i konsiderueshëm, ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e vatrave brenda një kohe të shkurtër, duke shmangur dëme më të mëdha në mjedis dhe pronë.Drejtori i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Lezhë, Ferdinand Preçi, thotë se situata të tilla bëhen më të shpeshta gjatë muajve të verës, por nuk mungojnë edhe në periudha të tjera të vitit. Ai apelon për më shumë kujdes nga qytetarët, duke kërkuar shmangien e hedhjes së bishtave të cigareve në natyrë, ndalimin e djegies së pakontrolluar të parcelave bujqësore, si dhe njoftimin e menjëhershëm të strukturave përgjegjëse në rast të konstatimit të zjarreve.
Shërbimi zjarrfikës disponon mjetet dhe logjistikën e nevojshme për përballimin e emergjencave të tilla, çka u dëshmua edhe në rastet e fundit, ku flakët u neutralizuan pa arritur të përhapen në sipërfaqe më të mëdha. Megjithatë, kerkohet bashkëpunimi me komunitetin mbetet elementi kyç për parandalimin e incidenteve dhe minimizimin e pasojave.
Në Lezhë vijon monitorimi i zonave me risk të shtuar, ndërsa apelohet për përgjegjësi qytetare, në mënyrë që sezoni veror të kalojë pa episode që rrezikojnë mjedisin, ekonominë lokale dhe sigurinë e banorëve.






