
Banorët e Rrjollit kanë vijuar përplasjet edhe ditën e sotme në kantierin e ku po kryhen punimet për ndërtimin e resortit turistik.
Ndryshe nga herët e tjera, përplasje ka patur edhe me punonjësit e firmës të cilët janë përleshur me protestuesit .
Përmes një statusi në rrjetet sociale, ka pasur një reagim zyrtar nga kompania që po kryen punimet në resortin në Rrjoll e cila shkruan:
“Procesi gjyqësor për të cilin është përfolur në mënyrë tendencioze, siç mund të shihet edhe nga harta ilustruese, nuk ka asnjë lidhje me perimetrin, ku aktualisht po zhvillohet projekti “Blue Borgo” dhe për pasojë nuk ka asnjë lidhje juridike apo faktike me kompaninë.
Gjithashtu, Gener 2 ka ndjekur me shqetësim zhvillimet në terren, ku punonjësit e kompanisë sonë janë përballur me tensione dhe tentativa sulmesh, ku theksojmë se siguria e punonjësve është prioriteti ynë absolut dhe se çdo akt intimidimi apo dhune ndaj tyre duhet të trajtohet me seriozitet maksimal nga institucionet ligjzbatuese.
Në këtë kuadër, falënderojmë Policinë e Shtetit për seriozitetin profesional, ç’ka ka bërë të mundur shmangien e incidenteve më të rënda si dhe garantimin në një farë mënyre të rendit, ku puna ka vazhduar ndonëse në kushte shumë të vështira.
Në respekt të publikut, Gener 2 sqaron sërish se projekti “Blue Borgo”, i zhvilluar nga shoqëria “Aba Blue Borgo” sh.p.k. është në përputhje të plotë me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Republikës së Shqipërisë.”
I pranishëm në Rrjoll për herë të parë pas më shumë se 3 javëve protesta ishin dhe një përfaqësi e deputetëve demokratë.






