Roma është fituese e edicionit të parë të Conference League. Në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, ekipi i drejtuar nga Jose Mourinho mundi 1-0 Feyeenordin.

Në Air Albania pati gjithçka, por në fund ata që festuan ishin tifozët italianë, që kishin kohë që po e prisnin një trofe të tillë. Zhgënjim total në krahun e holandezëve, të cilët duhet të kënaqen me pjesëmarrjen.

Futbollisti shqiptar Marash Kumbulla nuk luajti asnjë minutë në këtë sfidë, por ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për grupin për të shkuar deri këtu.

Minutat e para panë holandezët më me iniciativë, por pa rrezikuar shumë portën rivale.

Në minutën e 24-të, Pellegrini nis një top për Zaniolon, por ky i fundit nuk e mbërrin dot. Shans i mirë, i shpërdoruar.

Në të 32-tën, Zaniolo përfiton mirë në zonë dhe shënon.Gjithçka nis nga Mancini, që dërgon një assist në limitet e perfeksionit.

Pjesa e dytë nis në mënyrën më të mirë të mundshme për djemtë e Slot. Një shtyll ndal Trauner nga barazimi, ndërsa pavarësisht protestave për një prekje me dorë të Cristante, arbitri vijon lojën.

Feynoord rriti presionin. Gjithsesi, prapavija romake qëndron në vendin e duhur.

Veretout provoi nga distanca (72′). Një pritje e Bijlow i mohoi golin mesfushorit, pas një kundërsulmi.

Menjëherë sapo vërshëlleu arbitri fundin e takimit, Kumbulla me shokë nuk përmbahen, duke shpërthyer në festë.

Artikulli paraprak(VIDEO) JO VETËM NË SHQIPËRI, EDHE ITALIA NË FESTË PËR GOLIN E ZANIOLOS, SHIHNI ‘OLIMPICON’ E STËRMBUSHUR
Artikulli tjetërDO ÇOJË OPOZITA EMËR PËR PRESIDENTIN E RI? ALIBEAJ MBLEDH SOT GRUPIN PARLAMENTAR TË PD, RAUNDI I TRETË MBAHET MË 30 MAJ