Romë-OKB: Rreth 235 000 migrantë drejt Italisë nga Libia
Sapo t’u paraqitet mundësia e parë 235 000 emigrantë në Libi do të nisen drejt Italisë, ka pohuar i dërguari i OKB-së në këtë shtet, gjermani Martin Kobler, në një intervistë të publikuar sot në të përditshmen ”La Stampa”. “Në listat tona figurojnë rreth 235 000 migrantë në pritje të momentit më të përshtatshëm për t’u nisur në Itali”, u shpreh ai. “Rritja e masave të sigurisë mbetet çështja më e rëndësishme në këto momente. Nëse do të kemi një ushtri të fortë dhe të bashkuar, jo të përçarë atëherë rreziqet e terrorizmit dhe trafikimi i qënieve njerëzore do të ndalen”, shtoi Kobler. Numri i emigrantëve që kanë ardhur në Itali nga Mezdheu prej fillimit të vitit regjistrohet rreth 128.397, një rritje prej 5,15%në raport me të njëjtën periudhë në 2015, sipas të dhënave të publikuara nga ministria e punëve të jashtme një ditë më parë.