
Rotary Club Shkodër zhvilloi mbledhjen e fundit të vitit presidencial rotarian 2025–2026, duke reflektuar mbi arritjet, projektet dhe angazhimin në shërbim të komunitetit gjatë një viti të suksesshëm.
Takimi u përshëndet përmes një mesazhi nga Guvernatori i Distriktit 2485, Artur Beu, i cili vlerësoi punën e klubit dhe inkurajoi vazhdimin e misionit të Rotary-t në shërbim të shoqërisë.
Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte kumtesa e mbajtur nga Dr. Elsida Sina, lektore në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe psikoterapiste e licencuar BWRT në Londër, me temën “Sfida e shëndetit mendor në shoqërinë moderne”. Prezantimi nxiti diskutime të vlefshme mbi rëndësinë e mirëqenies emocionale dhe nevojën për të folur më hapur për shëndetin mendor.
Gjatë mbrëmjes u zhvillua edhe ceremonia e pranimit dhe betimit të tre anëtarëve të rinj të Rotary Club Shkodër: Aleksandër Marleci, Emi Kalaja dhe Edis Kadija. Drejtuesit e klubit theksuan se anëtarësimi në Rotary përfaqëson njëkohësisht privilegj dhe përgjegjësi, duke kërkuar angazhim aktiv në shërbim të komunitetit.
Në përfundim të takimit, anëtarët vlerësuan punën e realizuar gjatë vitit rotarian dhe shprehën mirënjohjen për kontributin e secilit në përmbushjen e motosit të Rotary-t, “Service Above Self – Shërbimi Mbi Vetveten”, duke riafirmuar angazhimin për të vijuar ndikimin pozitiv në komunitetin shkodran.


