Është rrënuar muri ilegal i ndërtuar nga autoritetet komunale të Mitrovicës së veriut.

Dy ekskavatorë të një kompanie ndërtimore, kanë bërë rrënimin e murit afër lumit Ibër. Rrënimin e murit e kanë përcjellë disa qytetarë, shqiptarë e serbë, kurse gjendja gjatë gjithë procesit të kryerjes së punimeve, ka qenë e qetë. Kryeministri Isa Mustafa, në një konferencë për media, ka thënë se pas rrënimit të murit, pjesa e sheshit do të ndërtohet në përputhje me ligjet dhe planet. “Krejt ajo çka kemi bërë, është se kemi zgjidhur një problem të brendshëm, përmes autoriteteve të brendshme me përkrahje ndërkombëtare në rrugën tonë evropiane dhe euro-atlantike. Nuk kemi pasur asnjë garë force, nuk kemi manifestuar populizëm, e as folklorizëm. Mendoj se kanë triumfuar vlerat dhe kanë triumfuarmetodat dhe mënyrat më të mira demokratike. Komuna ka vepruar sipas marrëveshjes”, ka deklaruar Mustafa. Ndërkaq, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, derisa po rrënohej muri, ka thënë se “kjo gjë tregon se të dy palët mund të arrijnë marrëveshje kur ka dëshirë politike”. Apostolova ka theksuar se shpreson që me të njëjtin vullnet do të fillojnë edhe diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Jam duke shikuar, gjithashtu, për fillimin e diskutimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, me të njëjtin përkushtim që patëm për largimin e këtij muri. Unë shpresoj se do të kemi rezultate të mira”, ka deklaruar Apostolova. Ajo, gjithashtu, ka falënderuar faktorin ndërkombëtar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë gjatë kohës së punimeve për largimin e murit. Shefja e BE-së nuk ka caktuar se kur do të përfundojnë punët e projektit për rivitalizimin e urës, por, siç është shprehur ajo, “Ura e Ibrit do të jetë ura më e bukur në Kosovë”. Rakiq: Të martën e ndërtojmë strukturën e re të fortë betonike në zonën e këmbësorëve Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, ka paralajmëruar se të martën, më 7 shkurt, do të fillojë ndërtimi i, siç ka thënë, “një strukture betoni mbështetëse dhe të fortë në lartësi prej 70 centimetrash dhe gjerësi prej 120 centimetrash”, që sipas tij, do të “garantojë sigurinë për qytetarët e komunës së Mitrovicës së veriut”. “Struktura e re mbështetëse do të përputhet shumë mirë edhe në aspektin mjedisor edhe estetik me projektin e ndërtimit të zonës së këmbësorëve në rrugën Mbreti Petër”, ka deklaruar Rakiq, duke e ‘falënderuar siç është shprehur, kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq për mbështetjen që ka çuar, siç ka thënë ai, drejt pajtimit edhe të përfaqësuesve relevantë ndërkombëtarë’. Një mur i ndërtuar që në dhjetor të vitit të kaluar, në kohën kur nisi rivitalizimi i urës në lumin Ibër, u rrënua të dielën më 5 shkurt, pas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kryetarit Rakiq të Mitrovicës së veriut, e me lehtësimin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, pas rrënimit të murit ka thënë se ky proces është në të mirën e të gjithë qytetarëve, qoftë shqiptarë, qoftë serbë. Bahtiri ka bërë të ditur se pas rrëzimit të murit, punët rreth rivitalizimin e urës do të vazhdojnë. “Për shkak të murit, në veri është ndalur puna edhe për rivitalizmin dhe rreth rrotullimit, por me përmirësimin e kohës ne do të kemi së shpejti lëvizjen e lirë edhe të automjeteve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nuk e di saktë kohën, por sa më parë që të jetë e mundur”, është shprehur Bahtiri. Qytetarët në veri të Mitrovicës, ndërtimin e murit dhe tash rrëzimin e tij, e kanë parë si diçka politike e që nuk është dashur të ndodhte. Jovo Iliq, banor i komunës veriore të Mitrovicës, tha se ky është gabimi më i madh i udhëheqjes së Mitrovicës veriore. “Gjithë ato para që janë harxhuar në ndërtimin e këtij muri, ka pasur mundësi që me siguri të ndërtohen tri apo katër shtëpi për raste sociale, që nuk kanë kulm mbi kokë”, është shprehur Iliq. Ngjashëm shprehet edhe Ilia Preleviq: “Të fuqishmit e kanë ndërtuar, dhe të fuqishmit janë pajtuar që ta shkatërrojnë. Populli vetëm hesht dhe shikon se si harxhohen paratë. Bashkësia ndërkombëtare harxhon para kot”, tha Preleviq. Heqja e murit pasoi një marrëveshje të arritur të shtunën herët në mëngjes ndërmjet autoriteteve qeveritare në Prishtinë dhe kryetarit të komunës Mitrovica veriore, që parashihte rrënimin e murit të ndërtuar në afërsi të urës qendrore në Ibër. Marrëveshja, e cila u arrit me lehtësimin edhe të përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së dhe të zyrës së BE- së në Prishtinë, “duhet të zbatohet gjatë ditës së diel, 5 shkurt, me heqjen e plotë të murit” që krijoi tensione. Marrëveshja për heqjen e murit u arrit pas një raundi “të vështirë” të negociatave në Bruksel, megjithëse asnjëra palë nuk pranoi të deklarohej. Muri në Mitrovicë u ndërtua në fund të vitit të kaluar, në kohën kur pritej rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër që për disa vjet u bllokua nga një, siç u quajt, “Park i paqes”. Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën në fillim të vitit, pas arrestimit në Francë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, mbi bazën e një urdhër-arresti të Serbisë dhe posaçërisht pas nisjes nga Beogradi drejt Mitrovicës të një treni me ikonografi kishtare mesjetare që Beogradi e cilësoi si “promovues të linjës së rregullt të udhëtarëve”, kurse Prishtina e pa si “shkelje të sovranitetit”.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT, DITA ME VRANËSIRA DHE RESHJE LOKALE
Artikulli tjetërLONDËR: SOT FILLON DEBATI PARLAMENTAR PËR BREXIT, MAY RREZIKON DISA VOTA KONSERVATORE