Një person ka mbetur i vrarë paraditen e kësaj të Marte pas të shtënave me armë në qytetin e Rrëshenit. Viktima është Kastriot Reci 47 vjec pronari i një prej ish -televizioneve lokal në Lezhë “Media plus-tv”. 47-vjecari është qëlluar, nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Sipas informacioneve paraprake, Reçi është vrarë pranë lokalit në pronësi të tij në qendër të Rrëshenit dhe shumë pranë komisariatit të policisë.

Dy persona dyshohet të kenë qëlluar nga makina në drejtim të Kastriot Reçit, duke e lënë të vdekur në rrugë teksa i afrohej lokalit.Forca të shumta policie kanë ngritur post-blloqe për të bërë të mundur kapjen e autorëve të dyshuar, ndërkohë që drejt vendit të ngjarjes kanë mbërritur edhe dy prokurorë të Lezhës.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kur u ekzekutua pronari i televizionit lokal, ngrenë dyshime se ndaj Kastriot Reçit mund të jetë qëlluar me snajper. Kjo, pasi askush nuk ka dëgjuar zhurmë arme, ndërsa në vendin e ngjarjes nuk ka njolla të shumta gjaku. Kastriot Reçi i cili mbeti i vrarë ditën e sotme në Rrëshen, dy vite më parë kishte humbur edhe vëllain e tij. Gasper Reçi u vra në Romë të Italisë, në prill 2017.

Ndërkohë në një postim në rrjetet sociale me datën 1 janar, teksa uronte për vitin e ri, Kastriot Reçi shkruante që të bëjnë kujdes nga njerëzit e kqinj.“Miq, Gëzuar Vitin e Ri 2020! Qëndroni sa më larg njerëzve të këqij, mashtrues dhe të pa besë.”- shkrunte Reçi.