Viti që po mbyllet ka sjellë një rritje të lartë të dëmeve nga aksidentet rrugore të paguara nga kompanitë e sigurimit.

Për 11-mujorin 2021, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 2.5 miliardë lekë ,ose gati 21 milionë euro dëme nga sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta (MTPL).

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dëmet janë rritur me 37%. Madje, dëmet janë rritur ndjeshëm edhe krahasuar me vitin 2019, me 22% më shumë.

Rritja e këtij viti e ka kthyer produktin MTPL në krye të renditjes së dëmeve, me pothuajse 46% të totalit. Vitin e kaluar, pesha e këtij produkti në strukturën e dëmeve pësoi një rënie të ndjeshme, e shkaktuar nga pakësimi i dëmeve për shkak të kufizimeve të lëvizjes, por edhe nga rritja e lartë e dëmeve në klasën e fatkeqësive natyrore.

Të dhënat e Instat treguan se për 11-mujorin 2021 numri i aksidenteve rrugore u rrit me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mbyllja dhe kufizimet drastike që u aplikuan vitin e kaluar për të kufizuar përhapjen e pandemisë bënë që përkohësisht edhe aksidentet të pakësoheshin, por kthimi në normalitet solli rritje të ndjeshme të tyre.

Ligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që hyri në fuqi në korrik 2021, parashikon rritje graduale të limitit të përgjegjësive për kompanitë e sigurimit. Rritja e limitit të përgjegjësive, shoqëruar edhe me shtimin e dëmeve, pritet të sjellë një shtrenjtim të tarifave të sigurimit të detyrueshëm gjatë vitit të ardhshëm. Në fillim të vitit të ardhshëm gjithashtu do të hyjnë në fuqi edhe nivelet tavan të komisioneve të shitjes që kompanitë mund të japin për këto sigurime. Nga 1 janari, këto komisione nuk mund të jenë më të larta se 20%.

Vendosja e tavanit mbi komisionet do të ngushtojë hapësirat për të konkurruar me çmime mes kompanive. Kjo do të bëjë që uljet e ofruara nga tarifa zyrtare ose nga primi i shkruar bruto të jenë më të vogla dhe nënkupton se drejtuesit e mjeteve pritet të paguajnë më shumë për sigurimin TPL.

Në total, kompanitë e sigurimeve këtë vit po paguajnë më pak dëme, në rënie me 12.7% krahasuar me 11-mujorin 2020. Kjo lidhet kryesisht me rritjen e konsiderueshme të dëmeve që shkaktoi tërmeti në bilancin e vitit të kaluar. Po ta krahasojmë 11-mujorin 2021 me të të njëjtën periudhë të vitit 2019, para pandemisë, dëmet rezultojnë në rritje me 14.7%.

Një efekt të kundërt pandemia ka dhënë në tregun e sigurimit të jetës. Shtimi i vdekjeve ka sjellë një rritje të dëmeve të paguara bruto me më shumë se 41%. Nëse përjashtojmë sigurimin e katastrofave, shumica e klasave të tjera kanë shënuar rritje të dëmeve gjatë këtij viti, duke reflektuar kthimin drejt normalitetit të aktivitetit shoqëror dhe ekonomik në vend.

Veç sigurimeve të detyrueshme motorike, rritje të lartë, me 20% kanë shënuar edhe dëmet nga sigurimi vullnetar KASKO. Edhe në këtë rast faktori më i rëndëishëm është rritja e numrit të aksidenteve./Monitor

Artikulli paraprakDY GRA ZIHEN PËR QENTË, NJËRA KAFSHON TJETRËN DHE I SHKAKTON PLAGË NË KËMBË
Artikulli tjetërARSYEJA E PABESUESHME QË HOTELET NUK KANË NJË DHOMË ME NUMRIN 420