Kompania farmaceutike e Pfizer, ka kërkuar nga rregullatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratimin e një doze të tretë përforcuese, për shkak të rritjes së rrezikut të variantit delta i cili përhapet me shpejtësi.

Pavarësisht kërkesës së Pfizer, FDA dhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), u shprehën në një deklaratë të përbashkët se sipas mendimit të tyre amerikanët nuk kanë nevojë për një dozë përforcuese në këtë kohë.

Zyrtari shkencor i Pfizer, Mikael Dolsten u shpreh se të dhënat e hershme nga studimet e vetë kompanisë tregojnë se një dozë e tretë përforcuese gjeneron nivele të antitrupave që janë pesë deri në 10-fish më të larta se pas dozës së dytë, duke sugjeruar që një dozë e tretë do të ofrojë mbrojtje premtuese.

Ai shtoi se shumë vende në Evropë dhe jo vetëm, tashmë i janë drejtuar Pfizer për të diskutuar rreth dozave përforcuese, duke shtuar se disa prej tyre do të fillojnë t’i administrojnë ato edhe pa autorizimin e FDA.

Ky propozim nga Pfizer, vjen teksa varianti delta po përhapet me shpejtësi marramendëse dhe po përbënë pjesën më të madhe të rasteve pozitive me COVID-19.

Versioni i ri i vaksinës Pfizer, do të funksionojë fillimisht si një eksperiment me 10 mijë veta, i cili do të zgjasë deri në vjeshtë.