Studimi i ekspertëve të sizmologjisë tregon se tërmetet përbëjnë rrezikun më të madh kombëtar për një katastrofë natyrore në Shqipëri.Në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 43-të për rrezikshmërinë nga tërmetet.

Dëmet që mund të krijohen në banesa do të përfshijnë ato objekte që janë ndërtuar me materiale që nuk u bëjnë ballë tërmeteve mbi 6 ballë dhe ndërtesa të vjetra, kryesisht ato para viteve 1960. Sipas studimit, objektet e ndërtuara me qerpiç, tullë, gur dhe betonarme dhe sistemet strukturore me mure mbajtëse, parafabrikate janë më të rrezikuara. Objektet e ndërtuara para vitit 1960 nuk kanë rezistencë ndaj tërmeteve, ato të ndërtuara ndërmjet viteve 1960-1990 kanë mbrojtje të ulët sizmike, ndërsa ndërtesat pas vitit 1990 kanë mbrojtje të pamjaftueshme, pasi në shumë prej objekteve të ndërtuara në këtë kohë është abuzuar me numrin e kateve në raport me qëndrueshmërinë e themeleve. Studimi tregon se kërkesat më të mëdha për sistemin kombëtar të emergjencës civile do të dilnin nga tërmetet që ndodhin në Durrës, Elbasan, Berat ose Vlorë, pasi burimet sizmike me ndikim të ulët janë të afta për të shkaktuar dëmtime strukturore dhe shembje që shkojnë nga 1,9 deri në 5.2% të fondit kombëtar të banesave. Në rast të tërmeteve me ndikim të lartë, që mund të ndodhin një herë në 500 vjet, potenciali energjetik i çliruar është i aftë të shkaktojë një katastrofë të ndërtimeve në nivel kombëtar. Por procesi i zhvendosjes së popullsisë ka ulur impaktin e tërmeteve të fortë në vatrat tërmetore në veri dhe jug të vendit, por ka rritur dukshëm ekspozimin në Tiranë, Durrës dhe qytetet e tjera që ndikohen nga zonat burimore të tërmeteve në zonën bregdetare. Ekspertët e Institutit të Sizmologjisë tregojnë se parametrat e parë sizmike që shoqëronin të parën hartë të zonimit sizmik të Shqipërisë u miratuan në vitin 1952. Më vonë, në vitet ‘60, është bërë një rishikim i rrezikut sizmik ku janë bërë përmirësime. Pas tërmetit të vitit 1979, në Malin e Zi u miratua një hartë sizmike e Shqipërisë. Më vonë gjatë viteve ‘80 është bërë një rishikim i përgjithshëm i kushteve teknike të projektimit antisizmik dhe kanë hyrë në veprim rregullat e reja për qëndresën ndaj tërmeteve në vitin 1989, të cilat vijojnë të jenë sot e kësaj dite në fuqi. Vrojtimet e bëra deri tani për dëmet e shkaktuara nga tërmetet tregojnë se projektimi korrekt i një strukture duhet të marrë në konsideratë ndikimin e dukurive të mësipërme në themelet e godinës. Në hartën globale të rrezikut nga kjo dukuri natyrore, Shqipëria ndodhet në zonën e kuqe, duke e klasifikuar në mesin e vendeve me risk më të lartë nga tërmetet.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakTË JETOSH SI NËNË TEREZA…
Artikulli tjetërVETINGU,GJYQTARET E PROKURORET SPIUNE TE NJERI-TJETRIT