Departamenti amerikan i Shtetit tha se vota për rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi, përbënte demokraci parlamentare në veprim, përmes së cilës populli i Malit të Zi mban qeverinë përgjegjëse nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur. Komenti ishte në përgjigje të një kërkese të Zërit të Amerikës për një koment lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazovic.

“Shtetet e Bashkuara presin që Mali i Zi të ndjekë procedurat ligjore ose për formimin e shpejtë të një qeverie të re në shërbim të vendit, ose për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike, e cila siguron përparimin e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike, që përfshin përshpejtimin e anëtarësimit në BE, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritjen e rolit në NATO, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me orientim qytetar, dhe që vazhdon të mbajë përgjegjëse Rusinë për luftën e saj brutale kundër Ukrainës”, vazhdon reagimi.

Në përgjigje të pyetjes së shërbimit serb të Zërit të Amerikës, nëse Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin përfshirjen e partisë pro-ruse Fronti Demokratik, në një qeveri të re, zëdhënësi rikonfirmoi qëndrimin ndaj kësaj force.

“Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Frontin Demokratik si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane, përfshirë faktin që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe nuk ka treguar udhëheqje apo vullnet për të bërë përparim në reformat kyçe të nevojshme për anëtarësimin në BE”, tha zëdhënësi.

Artikulli paraprakI NXEHTI EKSTREM PO THAN LUMENJTË ME RËNDËSI JETIKE NË MBARË GLOBIN
Artikulli tjetërTËRMET NË ITALI, SA ISHTE MAGNITUDA