Hakerimet po kthehen një fenomen përherë e më shumë shqetësues për shoqërinë, e sidomos kur më të prekurin në këto raste janë bizneset.

Duke iu referuar të dhënave, nga muaji Janar deri në Muajin Tetor të këtij viti janë bërë 35 denoncime nga persona të prekur nga mashtrimet kompjuterike, e ndërsa në disa raste kërcënimet ndaj tyre janë kthyer në formën e gjobvënies.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se nga këto raste, 12 prej tyre janë zbuluar, duke çuar në pranga edhe disa prej autorëve. Duke e krahasuar me vitin shkuar, mësohet se përgjatë vitin 2018 janë kryer 61 denoncime, 18 prej të cilave janë zbuluar nga oficerët e policisë.

Burime pranë policisë sqaruan se raste të më shumta të denoncimeve vijnë nga biznese të fuqishme, e ndërsa në disa raste një pjesë e tyre kanë shkuar deri në falimentim. Mekanizmi i vjedhjes sipas Specialistëve të Krimit Kompjuterik bëhej nga hakerat që qarkullojnë online.

I tillë ishte edhe një rast i ndodhur edhe në Gusht të këtij viti, ku pre e mashtrimeve me biletat online ra edhe një kompani e njohur udhëtimesh. Duke e krahasuar me vitet e mëparshme, numri i rasteve të denoncuara për hakerimet vjen në rritje.

Në periudhën 2015- 2017 në Policinë e Tiranës janë denoncuar 50 raste të abuzimit nëpërmjet hakerave kompjuterik vetëm për biznese, të cilët kanë përfituar një shumë të ardhurash rreth 2.5 milion euro.

Personat me të prekur nga kostot financiare kanë qenë biznese të shumta të vendit tonë, të cilët kanë bashkëpunuar online me firma të ndryshme të huaja.

Sipas specialistëve të Krimit Kompjuterik hakerat hapin adresa të huaja të ngjashme më atë që bashkëpunon një biznes shqiptar duke i ndryshuar disa karaktere të vogla në adresën e emailit dhe veprojnë vetëm në kohën që bëhet derdhja financiare në bankë.

Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Sigurisë, ku e pranishme ishte drejtoresha e përgjithshme e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, Vilma Tomçmo, u raportua se ky institucion i krijuar vetëm në dy vitet e fundit ka këtyre takime të vazhdueshme me nxënës nëpër shkolla, për ti ndërgjegjësuar ata për të mos rënë pre e mashtrimeve kompjuterike.

Por që në asnjë moment, nuk u raportua se cilat do të jenë masat e marra për rastet kur më të prekurit janë biznesmenët. Mësohet se hakerat më të rrezikshëm online janë evidentuar në Nigeri, Kinë si dhe në Europën Lindore.