Rriten eksportet me Italinë dhe Gjermaninë, bien me Kosovën

Krahasuar me një vit më parë, në muajin tetor Shqipëria ka rritur eksportet me Italinë, Greqinë dhe Gjermaninë, ndërkohë që i ka ulur me Kosovën, Spanjën dhe Hungarinë. Nga ana tjetër janë rritur importet me Turqinë, Greqinë dhe Gjermaninë për të rënë me Italinë Kinën e Francën. INSTAT ka publikuar treguesit e tregtisë së jashtme, sipas të cilëve, në muajin Tetor 2016 eksportet e mallrave arritën vlerën 22 mld lekë, duke u rritur me 7,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Importet në muajin Tetor 2016 arritën vlerën 50 mld lekë, duke u ulur me 1,0 %, në krahasim me të njejtën periudhë një vit më parë. Rritja vjetore e eksporteve ka ardhur si rezultat i kontributit pozitiv të grupeve “Tekstile dhe këpucë”, “Ushqim, pije, duhan” dhe “Makineri, pajisje e pjesë këmbimi”. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar negativisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me – 5,4 pikë përqindje.