Koronavirusi në Shqipëri vijon të marrë jetë njerëzish! Gjatë ditës së sotme, 5 persona kanë humbur betejën me COVID-19, duke e çuar në total numrin e viktimave në 166, e ndërsa janë konfirmuar pozitiv 123 persona (3 më shumë se dje). 3 nga viktimat janë nga qyteti i Shkodrës dhe 2 nga Tirana. Më konkretisht nga Shkodra është një 47 vjeçare, një 51 vjeçare, një 72 vjeçare, me disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe nga Tirana një 65 vjeçar pa sëmundje të tjera dhe një 70 vjeçar me sëmundje bashkëshoqëruese. 123 raste të reja kanë ardhur si rezultat i 474 testimeve të kryera brenda 24 orëve.

Një numër i lartë i rasteve të reja, për Ministrinë e Shëndetësisë, ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilencës nga ana e qytetarëve të cilët tashmë kanë nisur pushimet. Apeli shkon drejtpërdrejtë për pushuesit që të respektojnë distancën fizike me personat që nuk janë familjarë të tyre, e ndërsa u drejtohet edhe bizneseve që të respektojnë protokollet e sigurisë.

“Ministria e Shëndetësisë fton bizneset dhe njesitë akomoduese të respektojnë protokollet e sigurisë: Distancën fizike, maskën e detyrueshme në shërbim dhe të kryejnë dezinfektimin dhe higjienizimin e vazhdueshëm të ambienteve. Një kujtesë edhe për pushuesit: Respektoni distancën me të tjerët që nuk janë familjarët tuaj dhe kujdesuni për higjienën vetjake”, njofton ministria e Shëndetësisë, duke theksuar se janë vendosur 28 qendra shëndetësore verore në dispozicion të pushuesve, me mjekë dhe infermierë të trajnuar edhe për situatën COVID.

Një shifër paksa optimiste është numri i të shëruarve, të paktën krahasuar me një ditë më parë. Ndryshe nga dje ku e kishin fituar betejën me COVID-in vetëm 6 qytetarë, sot ka pësuar një rritje të ndjeshme duke kapur shifrën e 57 qytetarëve të shëruar, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3018, që nga fillimi i epidemisë.

COVID-19 – Statistika (2 Gusht 2020)
Testime totale 42183
Raste pozitive 5519
Raste të shëruara 3018
Raste Aktive 2335
Humbje jete 166 (Qarku Tiranë 85, Shkodër 27, Durrës 21, Fier 9, Elbasan 6, Kukës 4, Vlorë 4, Korçë 4, Lezhë 3, Dibër 2, Berat 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 1285
Durrës 291
Shkodër 215
Fier 95
Vlorë 93
Lezhë 79
Korçë 75
Kukës 68
Elbasan 52
Berat 29
Dibër 28
Gjirokastër 25