Bashkimi Evropian, nga sot, pritet të vendosë kufizime në udhëtime për qytetarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, për shkak të përkeqësimit të situatës epidiomologjike.

Kjo do të thotë se hyrja në BE nuk do të lejohet, përveç rasteve kur udhëtimet janë të domosdoshme ose kur qytetarët kanë leje vendbanimi në ndonjërin vend të bllokut. BE i hapi kufijtë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor në qershor, përpara fillimit të sezonit veror dhe pas përmirësimit të situatës epidemiologjike.

Por, varianti Delta ka shkaktuar rritje të numrit të të infektuarve në javët e fundit.

Për të qenë në listën e “vendeve të sigurta”, një vend duhet të regjistrojë maksimum 75 raste të reja në 100,000 banorë,për dy javë rrjesht.

Të dielën, Kosova ka shënuar ditën më vdekjeprurëse nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë, pranverën e vitit të kaluar. Autoritetet konfirmuan vdekjen e 36 personave në 24 orë, ndërsa raportuan edhe për mbi 1,600 raste të reja pozitive.