Rritje pagash edhe për ushtarakët

 

Qeveria ka propozuar rritje të pagave për ushtarakët nga 5 deri në 7 përqind. Por kryeministri Edi Rama premtoi se do të luftojë me Ministrinë e Financave dhe FMN-në, që Forcat e Armatosura të Ushtrisë të mos trajtohen ndryshe nga Policia e Shtetit, mësuesit apo mjekët. “Jemi mes një rritje 5 deri në 7 përqind të rrogës për ushtarakët, që në këndvështrimin tim nuk është e mjaftueshme dhe një rritje 8 deri në 10 përqind që është e barabartë me rritjen për të gjithë të tjerët. Kam shpresë që brenda kësaj periudhe të arrijmë të akomodojmë këtë pjesë për ushtarakët në këto nivele, pra të mos ketë rritje më të ulët se policët, mësuesit dhe mjekët”, u shpreh Kryeministri. E për këtë, Kryeministri Rama duket edhe më i bindur pas fjalës së mbajtur para Forcave të Armatosura. “Unë nuk kam folur ndonjëherë para forcave të ushtrisë, në sallë të mbyllur, por heshtja dhe kumbimi i zërit tim për shkak të kësaj heshtje më bën të përulem me resekt para disiplinës suaj, disiplinë që do ta ëndërroja në sektorë të tjerë. Për vit të ri nuk do arrini të më shani sepse pas këtij takimi kam më shumë argument për të fituar në diferencat me FMN dhe Ministrinë e Financave”, tha ai.