
Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi sot një takim me bizneset në Tregun Artizanal të Krujës, dhe prezantimin e programit të qeverisjes ‘PD-ASHM’.
“Rritje të madhe prodhimi, ‘Made in Albania’, synimi ynë kryesor, fermerët janë në kushte të vështira, subvencionet që jepte BE i merrte Edi Rama, do të gjashtëfishojmë subvencionet për fermerët, për çdo njësi prodhimi, për çdo fidan të mbjellë, kredi të buta, 80% do ta mbulojë shteti në mënyrë që të zgjerojnë aktivitetin e tyre”, tha Berisha.
Ujin do e përgjysmojmë. Bashkisë do ia vëmë kufirin tek thana, nuk do mund të vërë taksa sipas qejfit, por kurrë më shumë se sa 1 përqind të xhiros. Do bëjmë gjithçka të promovojmë sa më shumë prodhimin vendas, por duke krijuar klimën më miqësore ndaj biznesit. Cilido që do të shohë përqendrimin më absolut të pushteteve, le të vijë në Krujë.
Në qoftë se bëjmë modelimin, do gjejmë se pensioni që ishte 120 euro, duhej të ishte sot minimumi 390-400 euro në qoftë se rregulli është që rritja e çmimeve të mbulohet me rritjen e rrogave dhe pensioneve. Por ky u kujtua për rrogat e veta, rriti rrogat e zyrtarëve të lartë, i tre ose katërfishoi ato, kurse rrogat e ulëta dhe pensionet i la me indeksim apo pa indeksime, dhe faktikisht qoftë rroga e ulët, qoftë pensioni, janë në përpjestim të zhdrejtë me çmimet.
Çmimet këtu janë sa në Europë, sa në Itali, çmimet e ushqimeve dhe mallrave bazë po flas. Buka u kushton shqiptarëve rreth 80 herë më shumë se europianëve. Pse? Se duket shifër e lartë shumë. Por e para, shqiptarët konsumojnë bukë 4 herë më shumë se mesatarja evropiane. E dyta, shqiptarët kanë rrogën 6 herë më të ulët se mesatarja evropiane. Pra, janë një seri faktorësh që e bëjnë bukën një mall të kushtueshëm, shumë më të kushtueshëm se ç’duhej të ishte për shqiptarët. Dhe tani këta zotërinjtë, si ngushëllim kanë nxjerrë shprehjen, në Shqipëri nuk vdes kush për bukë. Tani duhet të jemi realistë, në Shqipëri njerëzit e kanë ndarë kafshatën me njëri-tjetrin, nuk kanë lënë njëri-tjetrin të vdesë.
Dhe të dalësh sot të justifikosh varfërimin që u ke bërë të tjerëve, në një kohë kur bashkëmoshatari i tij në Mal të Zi që merrte më pak në vitin 2013, tani merr 450 euro pension, ti nuk bën gjë tjetër vetëm u justifikon vjedhjen qytetarëve. Nuk është problemi të shkojë puna të vdesë njeriu për bukë, problemi është që njeriu të ketë gjërat bazë pa ngushtim, pa dhimbje, të mos detyrohet të përzërë fëmijët nga sofra. Pra, ka një qëndrim të papërgjegjshëm shumë ndaj qytetarëve.”