
Të shtunën në Rrjoll pritet të zhvillohet një protestë kombëtare kundër projektit që ka ngjallur debat në zonë. Banori i Rrjollit, Prek Molla, deklaron se në protestë pritet një pjesëmarrje e lartë e qytetarëve nga mbarë vendi, duke e lidhur këtë mobilizim me situatën e krijuar në zonë dhe vendosjen e gardhit, të cilin e krahason me rastin e Zvernecit.
Sipas Mollës, qytetarët do të mblidhen për të kundërshtuar atë që ai e konsideron si pengesë të padrejtë, ndërsa paralajmëron se gardhi i ngritur në Rrjoll do të shembet gjatë protestës.
Molla shprehet gjithashtu i habitur me ritmin e hetimeve të institucioneve në rastin e Zvernecit, ndërsa për çështjen e Rrjollit, sipas tij, procedurat po zvarriten. Ai i bën thirrje Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të marrë në shqyrtim dhe të hetojë këtë çështje.
Ndër të tjera, banori i Rrjollit shpreh bindjen se protestat që po zhvillohen në Tiranë do të arrijnë objektivat e tyre dhe do të ndikojnë në zgjidhjen e problematikave të ngritura nga qytetarët.






