
Banorët e Rrjollit janë rikthyer sërish në protestë, duke vijuar kundërshtimin ndaj rrethimit të tokës që, sipas tyre, është pronë e ligjshme e banorëve të zonës. Ndryshe nga protestat e mëparshme, këtë herë tubimi u zhvillua në mënyrë paqësore në hyrje të kantierit ku po ndërtohet resorti turistik.
Të mbështetur edhe nga aktivistë, protestuesit kërkuan heqjen sa më parë të gardhit metalik që rrethon territorin e kontestuar, si edhe pezullimin e menjëhershëm të punimeve në kantier. Ata theksuan se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për rikthimin e tokave që pretendojnë se u përkasin.
Protesta u zhvillua nën praninë e dhjetëra efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët kishin marrë masa për të shmangur çdo përshkallëzim të situatës dhe për të mos lejuar përsëritjen e incidenteve të mëparshme, kur një pjesë e gardhit metalik u shemb nga protestuesit.
Prej më shumë se katër muajsh, banorët e Rrjollit vijojnë rezistencën e tyre kundër projektit, duke pretenduar se tokat mbi të cilat po ndërtohet resorti u janë marrë në mënyrë të padrejtë. Ata paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë deri në zgjidhjen e çështjes dhe plotësimin e kërkesave të tyre.


