‘Rruga e shkodranëve’ në Beograd një monument i historisë shqiptare

Studiuesi dhe restauratori i njohur Frederik Stamati gjatë një vizite që ka bërë në Beograd sjell në kujtesë një fakt historik të harruar. Ai ka qëndruar në një rrugë që që lidhet me shqiptarët që kanë jetuar në Serbi. Fotografinë e kësaj rruge studiuesi e ka postuar në facebook-un e tij, ku sjell në vëmendje historinë e kësaj rruge.“Një variant i ekzistencës së kësaj rruge atje është se disa beogradas kanë qenë në Shkodër nga fillimet e shek XX, kanë parë rrugën “Kol Idromeno”, u ka pëlqyer dhe deshën që ta kishin edhe ata një të tillë.Dhe kështu u ndërtua rruga “Skadarlija”. Në një guidë të Beogradit thuhet se kuartieri i famshëm bohemian Skadarlija është ndërtuar në fund të shek XIX dhe fillimit të shek XX, në atë kohë kur tavernat u bënë vend takime të emrave më të famshëm kulturorë të Beogradit. Skadarlija shpesh herë krahasohet me Montmartrene e Parisit për paraqitjen, gëzimin, gjallërinë dhe atmosferën kreative”, shkruan Stamati në komentin e tij. Ndërkohë studiuesi Jahja Drancolli shkruan më tej “është fjala për rrugën e shkodranëve, të cilët pas luftimeve dhe rënies së Shkodrës (1478-1479), kishin braktisur qytetin e Shkodrës, dhe një pjesë e tyre kishte vajtur në Venedik, Raguzë dhe Beograd (atëbotë qendër e njohur e Mbretërisë së Hungarisë).Sikurse në Republikën e Venedikut ku u ngritën më se pesë rrugë arbërore (Calle degli Albanesi), ashtu dhe në Raguzë (dhe më vonë edhe në Zarë), dhe Beograd, atëbotë të Hungarisë, do të ngritën rrugë të tilla. Pra, burimet e ruajtura historike (të cilat i zotëroj) provojnë ekzistimin e një rruge të shkodranëve në Beograd, që nga kapërcyelli i shek. XV!”