
Një tjetër aksident ka rikthyer në vëmendje problemet e mëdha në infrastrukturën rrugore në zonën e Stom Golemit. Mbrëmjen e djeshme, si pasojë e aksidentit tragjik humbën jetën 2 të mitur. Aksidenti ka ndodhur në një segment rrugor ku mungon ndriçimi dhe sinjalistika, element thelbësorë për sigurinë por që prej kohësh injorohen nga institucionet përgjegjëse. Kalimtarët shprehen të shqetësuar ndërsa thonë se aksidentet janë të shpeshta pikërisht për shkak të kushteve të rrezikshme në këtë rrugë.
Mungesa e ndriçimit dhe sinjalistikës rrugore përben rrezik të lartë për jetën e kalimtarëve. Institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar aksidentet, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga banorët dhe incidenteve të njëpasnjëshme. Në një rrugë tejet të frekuentuar çdo ditë nga këmbësorë dhe automjete, vendosja e ndriçimit dhe sinjalistikës rrugorë është e domosdoshme për të shmangur aksidentet.
Ndërkohë përballë një situatë të tillë edhe prindërit duhet të tregohen më të ndërgjegjshëm dhe të mos lejojnë fëmijët të qarkullojnë me motomjete. Po ashtu, kërkohen kontrolle më të rrepta nga policia rrugore për të ndalur këtë fenomen gjithnjë e më të përhapur.